Intervistë për "Kosova e re"
Ademi: "Në mbledhjen e Këshilit të ministrave në dhjetor, do të caktohet data e fillimit të negociatave për në BE"-"Kosova është shtet i pavarur, ka institucionet e veta
dhe ndonjë fërkim eventual i vogël këtu në Maqedoni, qoftë ai të jetë edhe ndërmjet partive shqiptare, nuk ka pse të ndikojë në rrjedhat politike në Kosovë.Ndodhitë që u shkaktuan nga botimi i enciklopedisë ishin një dëshmi e vitalitetit të shqiptarëve të Maqedonisë. Maqedonia kufizohet me Bashkimin evropian. Qeveria e R. të Maqedonisë është e përkushtuar në zbatimin e reformave që kërkohen për anëtarësim në Bashkimin Evropianë. Këtë e dëshmoi edhe raporti i fundit të Komisionit Evropian ku rekomandohet që Maqedonia ti fillon negociatat për anëtarësim në BE"-tha ndër të tjera zv.kryeministri i Maqedonisë z.Ademi.Zv.Kryeministri i Maqedonisë z.Abdylaqim Ademi, si edhe herave tjera edhe kësaj here, me një modesti, duke respektuar fjalën e lirë, na dha mundësi që të zhvillojmë një intervistë ekskluzive për situatën, që po mbretëron në Maqedoni, kur tema Maqedoni, thuajse është një ndër temat kryesore të BE-së. Se kush është humbës dhe fitues, me dekarkracionin e kufirit Kosovë-Maqedoni, sa është larg Maqedonia nga BE-ja, të reja në lidhje me marrëdhëniet diplomatike në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe për shumë pika të nxehta politike, që sot janë si top tema primare, thuajse në të gjitha mediat në Maqedoni dhe rajon, ndër të tjera do të mësojmë nga kjo intervistë.
Kosova e re: Z.Zv.kryeministër, si e shihni gjendjen aktuale politike në Maqedoni?
A.Ademi: Duke u nisur nga shumë parametra në bazë të cilëve vlerësohet një situatë politike lirsht mund të them se ajo është stabile. Si vend në tanzicion natyrisht se ballafaqohemi edhe me probleme të llojllojshme që janë të trashëguara nga e kaluara ose paraqiten në rrugën drejt ndërtimit të një shoqërie bashkëkohore evropiane. Reformat që i ndërmarrëm ndodh që të moskuptohen mirë e drejt dhe kjo mandej ndodh që të shkaktojë pakënaqësi dhe nervozizëm. Situata e përgjithëshme ekonomike në botë ka qenë një faktor plotësues që e ka ngadalësuar hapërimin më të shpejt drejt reformave më të guximshme dhe na ka detyruar të merremi me disa çështje që nuk i kishim parashikuar. Maqedonia ka një qeveri e cila përbëhet prej dy subjekteve më të mëdha politike në vend. Të cilat kanë një shumicë absolute parlamentare. Ky fakt, na krijon një rehati, por njëkohësisht na ngarkon me përgjegjësi shumë të madhe për zhvillimin e vendit.
Kosova e re: Mendoni, se enciklopedia e Maqedonisë, zgjoi zërin e politikës shqiptare më fuqishëm në Maqedoni për ti mbrojtur të drejtat e veta?
A.Ademi: Ndodhitë që u shkaktuan nga botimi i enciklopedisë ishin një dëshmi e vitalitetit të shqiptarëve të Maqedonisë. Subjekti që i takoj unë, BDI, seriozisht e kuptoi këtë problem dhe me një këmbëngulësi të theksuar insistoi të korrigjohet çdo gjë që nuk përkon me realitetin duke kërkuar që ajo të mos shpërndahet dhe të shkruhet një verzion i cili do të jetë konform asaj që është e njohur jo vetëm për shqiptarët por edhe për mbarë botën dhe shkencën. Qëndrimi ynë është i njohur. Ne kërkojmë që në ekipin e ri, përkatësisht në redaksin e re të inkuadrohen edhe shkencëtarë shqiptarë. Kjo, mendoj se do të përcjellet edhe me reformimin e Akademisë së shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.
Kosova e re: Po cili është komenti me që tashmë Maqedonia i harrnoi të themi marëdhëniet me Kosovën?
A.Ademi: Maqedonia dhe Kosova tash më kanë vendosur edhe marrëdhënie diplomatike dhe kanë ratifikuar marrëveshjen për demarkacionin e Kosovës. Me këtë është kurorëzuar një çështje shumë e madhe pasi që Maqedonia dhe Kosova si dy shtetet fqinje kanë marrëdhënie të mira në të gjitha sferat dhe bashkëpunimi në mes dy vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen ku pritet të nënshkruhen edhe shumë marrëveshje për bashkëpunim në sfera të ndryshme. Këto ditë ministri i punëve të jashtme i Kosovës bëri vizitë zyrtare në Maqedoni dhe u prit në nivelin më të lartë shtetëror.
Kosova e re: Kush është humbës në lidhje me demarkracionin e kufirit Kosovë-Maqedoni?
A.Ademi: Mendoj se këtu nuk ka humbës dhe fitues por është një proces i cili ka përfunduar me sukses.
Kosova e re: Ka propozime në Maqedoni që të ketë Akademi shqiptare. Nëse do të ndodhë kjo, e shihni se do të përkeqësohet edhe më shumë situata në Maqedoni?
A.Ademi: Qëndrimi ynë rreth kësaj çështje është i njohur. Ne mendojmë se botimi i fundit të Enciklopedisë ka hapur çështjen e reformimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe seriozisht duhet menduar në këtë drejtim dhe ndërmar hapa konkret.
Kosova e re: A është larg BE-ja nga Maqedonia?
A.Ademi: Jo. Maqedonia kufizohet me Bashkimin evropian. Qeveria e R. të Maqedonisë është e përkushtuar në zbatimin e reformave që kërkohen për anëtarësim në Bashkimin Evropianë. Këtë e dëshmoi edhe raporti i fundit të Komisionit Evropian ku rekomandohet që Maqedonia ti fillon negociatat për anëtarësim në BE. Ne shpresojmë, se në mbledhjen e Këshilit të ministrave në dhjetor do të caktohet edhe data e fillimit të negociatave. Ne do të vazhdojmë me punë në mënyrë që të plotësojmë të gjitha kritereve që kërkohen për anëtarësim.
Kosova e re: Kur mendoni se do të rregullohet çështja e emrit, me që tashmë Greqia ka edhe qeverinë e re?
A.Ademi: Si kurrë më parë janë krijuar kushtet për të zgjidhur edhe këtë çështje të hapur. Me liberalizimin e vizave, raportin pozitiv nga KE-ja, demarkacionin e kufirit dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, zgjedhja e qeverisë së re në Greqi, është krijuar një ambient më pozitiv për zgjidhje të këtij kontesti. Epilogu i këtij problemi do të dihet deri në mbledhjen e Këshillit të ministrave të BE-së në fillim të dhjetorit. Modalitetet dhe teknika si do të bëhet kjo janë çështje që gjithanshëm po debatohen kudo në Maqedoni, por edhe jashtë saj. BDI-ja maksimalisht do të ndikojë dhe ndihmojë që kjo të ndodh sa më shpejt, sepse interesi dhe përcaktimi fundamental i saj është që sa më shpejt të bëhemi pjesë e NATO-s dhe familjes së madhe evropiane.
Kosova e re: Si do të shkojë Maqedonia më lehtë drejt BE-së?
A.Ademi: Çështja e emrit është një nga pengesat por shpresojmë se së shpejti do të ketë zgjidhje. Më tutje, ne do të angazhihemi që të zbatojmë reformat e nevojshme që kërkohen nga Maqedonia. Në këtë drejtim po bëhen përpjekje maksimale për ekipimin e grupeve të ekspertëve që do të jenë të angazhuar për të zhvilluar bisedimet në të gjitha kaptinat që gjatë bisedimeve do ti harmonizojmë me strukturat përkatëse evropiane.
Kosova e re: Po mund të na thoni si do të duhej të reagojë politika shqiptare në Maqedoni që marrëveshja e Ohrit të zbatohet?
A.Ademi: Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit është një nga pesë prioritetet në Programin për punën e Qeverisë, sepse implementimi i këtij dokumenti i hap rrugë Maqedonisë për anëtarësim sa më të shpejt në strukturat euroatlantike. Menjëherë pas formimit të Qeverisë janë bërë hapa konkrete në zbatimin e saj, por na pret mjaft punë për të zbatuar këtë dokument që i dha fund konfliktit të vitit 2001. Me rëndësi është se ka vullnet politik në të gjitha strukturat politike dhe shtetërore. Partitë politike e kanë kuptuar mjaft mirë rëndësinë e kësaj marrëveshje. Këtu më duhet të theksoj se lidhur me çështjen në fjalë nuk haset në rezistencë as të opozita. Fjalën e kam për opozitën maqedonase sepse dihet se opozita shqiptare natyrisht është pokështu e interesuar që marrëveshja të implementohet sa më suksesshëm.
Kosova e re: Mendoni se faktori politik shqiptarë në Maqedoni është jo unik në çështje madhore që po kalojnë shqiptarët sidomos në këtë periudhë?
A.Ademi: Uniteti i jonë si shqiptarë mund të them se është në nivel të kënaqshëm. Në rastet kur bëhet fjalë për interesa madhore gjithënjë është manifestuar unitet i duhur. Kjo u pa edhe me rastin e botimit të enciklopedisë. Është e natyrshme që partitë opozitare të jenë kritike ndaj punës së partive në pushtet. Nuk do të ishte logjike që ato të shprehin kënaqësi me punën e qeverisë. Dhe sado që ne të bëjmë punë të mirë opozita do të gjejë arsye për të shpreh pakënaqësi. Kjo është gjë e pritëshme. Nga pakënaqësitë e këtilla opinioni shpesh fiton përshtypjen se ndërmjet partive shqiptare nuk ka unitet.
Kosova e re: Me që në Kosovë më 15 nëntorë do të jenë zgjedhjet, a do të ishte shumë urgjente, që faktori politik në Maqedoni, të jetë më i qetë nëmes veti, duke ditur se mundet të eskalohet situata dhe uji mundet të shkojë në mulllirin e nxitësit?
A.Ademi: Kosova është shtet i pavarur, ka institucionet e veta dhe ndonjë fërkim eventual i vogël këtu në Maqedoni, qoftë ai të jetë edhe ndërmjet partive shqiptare, nuk ka pse të ndikojë në rrjedhat politike në Kosovë.
Kosova e re: Keni kontakte me faktorin ndërkombëtarë kur e vizitojnë Maqedoninë?
A.Ademi: Realizoj takime të rregullta me përfaqësuesit ndërkombëtarë të akredituar në Maqedoni. Nga posti që ushtroj, delegacionet e huaja që vizitojnë Maqedoninë varësisht nga agjenda dhe misioni me të cilin janë të ngarkuar shpeshherë kërkojnë dhe realizojnë takime ku shkëmbehen mendime për çështje të rëndësishme për Maqedoninë. Në këtë drejtim, temë e interesimit të tyre zakonisht janë edhe probleme të ndryshme nga lëmia e marrëdhënieve etnike.
Kosova e re: Cila është e ardhmja e Maqedonisë?
A.Ademi: Maqedonia e integruar në familjen evropiane dhe NATO sëbashku me vendet e rajonit. Rajoni stabil. Fqinjësia e mirë. Standard sa më të lartë për qytetarët.
Kosova e re: Lëmshi i krizës te kush sipas jush është, e kam fjalën te pozita qoftë maqedonase, shqiptare, apo tek opozita maqedonase apo ajo shqiptare?
A.Ademi: Kriza e përgjithëshme ekonomike ka ndikuar në rritjen e shkaqeve për çka mund të kritikohet qeveria, respektivisht pozita. Opozita e ditur qoftë, nuk ka obligim që të zgjidh problemet që paraqiten në vend, por ajo kërkon që ato të zgjidhen. Fajet nuk janë gjithënjë as te pozita, por te ambienti i përgjithshëm. Megjithatë, obligimi për zgjidhje mbetet te pozita.
Kosova e re: Në Maqedoni kohët e fundit po na dalin shumë analista që po komentojnë situatën Maqedoni BE. A është e dëmshme dhe a do të reflektohet gabimisht tek popullata shkrimet e kësaj natyre?
A.Ademi: Analistët kanë drejtë që të japim mendimet dhe analizat e veta. Mendojë se kjo mund të na ndihmojë në hapërimin tonë drejt anëtarësimit në familjen evropiane.
Kosova e re: Të dalim në Kosovë. Kosova është në fushatë zgjedhore. Si e vlerëson fushatën?
A.Ademi: Zgjedhjet lokale në Kosovë janë historike. Ato janë zgjedhje të para që po mbahen pas pavarësimit të vendit. Zgjedhjet mbahen në Kosovën shtet. Ky shtet duhet të demonstrojë kapacitet demokratik me çka do të dërgojë mesazhe të qarta për aftësinë e popullit dhe udhëheqjes së Kosovës për ndërtim të instituccioneve demokartike. Do të jetë mjaft e rëndësishme që, si fushata ashtu edhe zgjedhjet, deri në mbylljen e procesit zgjedhor të manifestohet tolerancë dhe qetësi.
Kosova e re: Mendoni se do të ketë ndryshime nëpër komunat e Kosovës?
A.Ademi: Kjo pyetje është shumë e vështirë, sepse un po ju them me sinqeritetin më të madh që nuk kam informata se cilat komuna nuk janë të kënaqur me udhëheqjen lokale.
Kosova e re: Cila është më afër BE-së, Kosova apo Maqedonia?
A.Ademi: Maqedonia në vitin 2004 paraqiti kërkesën për anëtarsim në BE. Në vitin 2005 e morri statusin e vendit kandidat. Ng atë gjitha shtetet e Ballkanit perëndimor kët status e ka vetëm vendi ynë.
Kosova e re: Sot ish ambasadori amerikan që ishte në Maqedoni, Dr. Nikolas Bigman, tha se Kosova mundet të jetë më shpejt në BE se sa Maqedonia.Komenti juaj?
A.Ademi: Do të isha shumë i lumtur nëse Kosova na bashkangjiet në rrugën tonë të gjatë e të mundimshme. Ne atë rrugë e kemi shkelur shumë, por nuk e dijë saktësisht se në cilin kilometër kemi arritur.
Kosova e re: Me që jeni edhe vetë në krye të qeverisë. Cilat janë raportet tua me kryeministrin dhe presidentin e Maqedonisë?
A.Ademi: Raportet e zyrtarëve qeveritarë në të njëjtin institucion janë të njohura dhe përafërsisht të njëjta kudo. Natyrisht se ato janë kolegiale por edhe të ndërlidhura me nivelet e funksioneve që ushtrohen. Në këtë drejtim mund të them se në Maqedoni, për shkak të raporteve ndëretnike në shtet, niveli i funksionit shpeshherë shkilet në kuptimin pozitiv. Për të debatuar për çështje specifike jo rrallë nivelet nuk paraqesin problem sepse synohet harmonizimi i qëndrimeve. I njëjti raport aplikohet edhe në bashkëpunimin me kryetarin.
Kosova e re: Do ta vizitoni Kosovën, kur po dihet tashmë se u përmirësua situata në mes Maqedonisë dhe Kosovës?
A.Ademi: Përfaqësuesit e Qeverisë, por edhe unë shumë shpesh kemi vizituar institucionet e Kosovës. Mënyra e komunikimit të drejtpërdrejt do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Tani më, sy dy shtete të cilat kanë vendosur marrëdhënie diplomatike dhe së shpejti do të hapin edhe ambasadat e veta po krijohen kushte objektive për intensifikim të bashkëpunimit dhe për zyrtarizim të të gjithë asaj që del si produkt nga vizitat.
Kosova e re: Ju falënderojmë z.Ademi për kohën që ndatë për të bashkëbiseduar.
A.Ademi: Përshëndetje juve, lexuesve tuaj dhe gjithë bashkatdhetarët tanë kudo që gjenden. Gjitha të mirat.
Makedonski
English







Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb




